Propozimi i BE-së për të drejtat e kopjimit përforcon DRM-në
Më 14 shtator Komisioni Europian (EC) publikoi propozimin e vet të pritur prej kohësh për një Direktivë mbi të drejtat e Kopjimit në Tregun e Përbashkët Dixhital. Ndërkohë që e mirëpresim sjelljen nga propozimi të një përjashtimi të detyrueshëm për “grumbullimin dhe shfrytëzimin e teksteve dhe të dhënave” (TDM) në fushën e kërkimeve shkencore, jemi të shqetësuar për përfshirjen e një klauzole me veprim të largët "masash teknike sigurie" akorduar zotëruesve të të drejtave me qëllim që të kufizohet përjashtimi i sapovendosur.
Propozimi u akordon organizmave të kërkimit një përjashtim të detyrueshëm, që të mund të kryejnë TDM në vepra nën të drejta kopjimi te të cilat mund të hyjnë në mënyrë të ligjshme. Përjashtimi është i zbatueshëm vetëm për organizma kërkimi, duke e ngushtuar kështu fokusin e tij dhe duke përjashtuar këdo tjetër që gëzon hyrje të ligjshme në vepra nën të drejta kopjimi.
Sipas Vlerësimit të Ndikimit që e përshoqëron, përjashtimi për TDM ka potencial të shkaktojë një numër të lartë shkarkimesh të veprave, dhe kjo është arsyeja pse zotëruesve të të drejtave të kopjimit u është lejuar të aplikojnë masa teknike "të nevojshme" në emër "të sigurisë dhe integritetit" të rrjeteve të tyre dhe të bazave të tyre të të dhënave.
Një domosdoshmëri e tillë, siç është propozuar nga Komisioni në tekstin e tanishëm, u jep zotëruesve të të drejtave të kopjimit një të drejtë shumë të zgjeruar për të kufizuar sendërtimin efektiv të përjashtimit të ri. Zotëruesit e të drejtave të kopjimit janë të lirë të aplikojnë çfarëdo masash që i mendojnë "të nevojshme" për të mbrojtur të drejtat e tyre kundrejt përjashtimit TDM, dhe të zgjedhin formatin dhe modalitetet e këtyre masave teknike.
Kjo do të shpjerë në një zgjerim të sendërtimit të teknologjive të "administrimit dixhital të kufizimeve" (DRM). Këto teknologji përdoren tashmë gjerësisht për të kufizuar arbitrarisht përdorimin e ligjshëm të veprave sipas përjashtimit të ri mbi TDM-në. Kjo referencë ndaj "masash teknike të nevojshme" është e tepërt dhe mund ta bëjë të pavlerë përjashtimin e detyrueshëm për TDM. Ia vlen të përsëritet se përjashtimi është tashmë i kufizuar rëndshëm, për të mbuluar vetëm organizma kërkimi me interes publik.
Arsye të mëtejshme për të ndaluar përdorimin e teknologjive DRM te përjashtimi janë:
- DRM-ja shpie në lidhjen pas një tregtuesi. Meqë kërkuesve do t’ju duhet një software i veçantë që të mund të hyjnë te vepra, ata do të jenë të lidhur arbitrarisht pas një tregtuesi ose furnizuesi të caktuar. Këto masa teknike ka shumë mundësi t’i ndalin kërkuesit të ushtrojnë të drejtën që u lejon përjashtimi për të përdorur mjetet e tyre për përftim të dhënash, dhe mund të shpjerë në monopolin faktik të një dorë kompanish që i ofrojnë këto teknologji.
- DRM-ja përjashton përdoruesit e software-it të lirë. Funksionimi i DRM-së bazohet gjithmonë në përbërës pronësorë. Këta përbërës, me përkufizim, është e pamundur të sendërtohen në Software të Lirë. E drejta e përdoruesve të Software-it të Lirë për të hyrë në këto burime sipas përjashtimit do të cenohet.
- Teknologjitë DRM rrisin kostot në kërkim dhe arsim. Përdorimi i burimeve të mbrojtura me DRM, zakonisht lyp blerje programesh pronësore specifike. Teknologji të tilla janë të kushtueshme dhe është e nevojshme të bëhet pyetja sa do t’u kushtojë sendërtimi i këtyre teknologjive institucioneve kërkimore dhe arsimore nëpër Europë. Për më tepër, shpesh ky software s’mund të ndahet me të tjerë, ndaj për çdo kompjuter posti kërkimesh do të jetë e nevojshme të blihet një kopje ose licencë më vete për software-in.
- DRM-ja kufizon artificialisht ndarjen e gjërave mes kolegësh. Një funksion i rëndomtë i ofruar nga DRM-ja është kufizimi i numrit të kopjeve që mund të bëni për dokumente ose të dhëna. Kjo do t’i detyrojë kërkues të ndryshëm të hyjnë dhe shkarkojnë të dhëna dhe dokumente disa herë me radhë, edhe pse punojnë në të njëjtin ekip. Kjo është humbje kohe dhe burimesh. Meqë DRM-ja zakonisht kufizon dhe numrin e shkarkimeve, ekipet mund ta gjejnë veten jashtë burimesh për të cilat gëzojnë ligjërisht të drejtën e përdorimit sipas përjashtimit.
Ne i kërkojmë Parlamentit Europian dhe shteteve anëtare të BE-së që ta ndalojnë shprehimisht përdorimin e praktikave të dëmshme DRM në reformën e të drejtave të kopjimit në BE, veçanërisht lidhur me përjashtime të kufizuara tashmë rëndë.