Buletini i FSFE-së - dhjetor 2013
Kriptokartat tona dhe flakë kashte
Më 2005-n ne filluam t’u jepnim karta fshehtëzimi individëve që dhuronin për ne dhe që qenë bërë Anëtarë Shok të FSFE-së. Besojmë se është e rëndësishme t’u kujtojmë njerëzve mjetet Software i Lirë për fshehtëzim të komunikimeve të tyre. Përveç kësaj, qëkur u themelua FSFE-ja më 2001-n, ne u kemi shpjeguar njerëzve që ato 40 shifrat te karta jonë e biznesit ishin për fshehtëzim dhe përse ky ishte i dobishëm. 8 vjet më vonë, tema e fshehtëzimeve plasi në media, dhe tani po përmendet në çdo gazetë të Europës. Kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta në të njëjtën kohë: Ndeshemi me problemin që vëmendja e medias është shumë e madhe, por kjo nuk do të thotë që kemi më tepër burime për ta trajtuar. Do të donim të merreshim më tepër me këtë çështje, por nga ana tjetër nuk mund të ndalim punën mbi tema të tjera afatgjata.
Rëndësia e punës afatgjatë
Po t’i hidhni një sy rrjedhës sonë të re kohore do të shihni që shpesh na është dashur të merremi me tema të cilat janë të vështira t’i shpjegohen një publiku më të gjerë, punë intensive, dhe nganjëherë jopopullore. Kundër Software-it të lirë punuan kompani, ngaqë e panë si kërcënim për fitimet e tyre, por i ndihmuam të kuptojnë se si të nxjerrin përfitime me Software-in e Lirë. Na u desh të shpenzojmë 8 vjet me Komisionin Europian dhe Gjykatën Europiane për të bërë të mundur që kompanive të Software-it të Lirë t’u lejohej të konkurronin me Microsoft Workgroup Server dhe që prej asaj kohe po e përhapim këtë dije edhe në shkallë kombëtare dhe lokale. Pajtueshmëria e licencave qe temë jopopullore për një kohë të gjatë, por programuesit duhet të sigurohen që software-i ynë mund të programohet dhe të përdoret pa rreziqe ligjore. Kur filluam të merreshim me Standardet e Hapura, qenë temë e specializuar, tani janë temë e publikut të gjerë. Pati kompani që e kundërshtuan pozicionin tonë lidhur me patentat e software-it, tani një shumicë biznesesh dhe politikanësh e kuptuan që ato janë një risk i rrezikshëm për bizneset. Sot ata përdorin argumentet tona dhe na kërkojnë input për t’i hequr qafe.
Çfarë na duhet për t’i bërë ballë sfidës
Ne besojmë në një shoqëri te e cila software-i është në duart e të gjithëve: si individë, kompani dhe organizma, ose qeveri, në vend se të pak njësive të fuqishme. Askujt nuk i duhet lejuar t’ju pengojë të ndryshoni software, ose t’i kërkojë dikujt ta ndryshojë pa miratimin tuaj, te celulari juaj, rrugëzuesi, automjet, ose te të tjera gjëra tuajat. Muajt e fundit nga kanë treguar se për shoqërinë tonë është e rëndësishme të ketë kompjuterë të cilëve t’u besojmë. Kompjuterë të cilët i kontrollojmë ne. Programe që janë transparente lidhur me atë që bëjnë me të dhënat tona dhe që mund të ndryshohen për të plotësuar nevojat tona. E vetmja rrugë për t’ia arritur kësaj është me Software-in e Lirë.
Një sfidë e tillë nuk mbaron brenda pak muajsh, zë një kohë të gjatë. Lyp organizma që vazhdojnë të punojnë edhe kur nuk ka vëmendje të lartë nga mediat e mëdha. Një organizëm që lufton për lirinë tuaj në epokën dixhitale. FSFE-ja është marrë me këto çështje këtu e 12 vjet.
Për ta përballuar këtë sfidë FSFE-ja ka nevojë të punojë vazhdimisht drejt këtij qëllimi, dhe për këtë kemi nevojë për ju, të investoni për lirinë tuaj! Tani është kohë e përshtatshme të intensifikoni punën tonë, ngaqë ka plot njerëz që i dëgjojnë ndryshe të njëjtat mesazhe që kemi patur edhe më parë. Do të donim t’i zgjeronim veprimtaritë tona, ndaj kemi nevojë për dhurimet tuaja. Bëni atë që bënë të tjerët për të cilët liria e software-it ka vlerë: Bëhuni një përkrahës i anëtarësuar, duke u bërë pjesë e Anëtarësisë Shok të FSFE-së!
Diçka krejt ndryshe
- FSFE-ja botoi një njoftim shtypi lidhur me çështjen Rockstar vs. Google-it: Rockstar, një konsorcium shoqërish i krijuar për të grumbulluar disa patenta të nxjerra në shitje pas procedurës së shkrirjes së Nortel-it, ka paditur Google-in dhe kompani të tjera për shtatë prej këtyre patentave. FSFE-ja tashmë ka ngritur zërin lidhur me shqetësime serioze dhe ka sinjalizuar rregullatorët e konkurrencës saktësisht kundër një skenari të tillë më dhjetor të 2011-s. Sërish një shembull se si patentat mbi software-in përbëjnë një risk të rrezikshëm për bizneset.
- I urojmë mirëseardhjen anëtarit të ri të ekipit bazë, Maurice Verheesen nga Holanda. Është ai që u përkujdes për stendën tonë në T-Dose që po bëhet gjithashtu një vend takimi për Anëtarë Shok nga Holanda dhe rajoni i Renanisë.
- Të blej një kompjuter pa sistem operativ dhe të instaloj shpërndarjen GNU/Linux që më pëlqen, apo të blej një laptop me GNU/Linux të parainstaluar që përfshin edhe software jo të lirë? Merrni pjesë në diskutim te lista jonë publike në Anglisht duke lexuar këtë mesazh , vazhdoni me artikujt e blogut të përmendur aty, komentoni te lista dhe, siç shkroi Paul Boddie, bashkojuni vullnetarëve të tjerë në mirëmbajtjen e faqes së tregtuesve të hardware-it.
- Falë Nermin Canik-ut, FSFE-ja arriti të ketë stendën e vet të parë në Turqi, ndërsa Michael Stehmann u kujdes për stendën e FSFE-së dhe dy biseda rreth saj gjatë veprimtarisë OpenRheinRuhr.
- FSFE-ja mori pjesë në Festivalin e Dijes së Hapur, me Lucile Falguyerac-un që zhvilloi të njëjtën bisedë të shkurtër pesëminutëshe shtatë herë, sipas formulës "speed geeking", përmes të cilave prezantoi FSFE-në, Standardet e Hapura dhe Ditën e Lirisë së Dokumenteve.
- Parlamenti i Andaluzisë në Spanjë po i kërkon unanimisht qeverisë së rajonit të hidhet te Software-i i Lirë.
- Guido Arnold botoi përditësimin e FSFE-së mbi arsimin për tetorin.
- Jérémie Zimmermann, një nga miqtë tanë prej La Quadrature Du Net mbron te "Snowden dhe e Ardhmja e Arkitekturës së Komunikimeve tona" se "Zbulimet e Snowden-it na japin një ilustrim të gjallërishëm se Richard Stallman-i dhe të tjerët kanë pasur të drejtë gjithë këto vjet." Ai shkruan se na duhen shërbime të shpërqendruara, Software i Lirë, dhe fshehtëzim skaj-më-skaj.
- Projekti The Guardian shkroi rreth si të ndërtoni shitoren tuaj aplikacioneve me F-Droid. Nëse strehoni depon tuaj F-Droid, njerëzit mund të përdorin F-Droid që të instalojnë aplikacionet tuaja, të nënshkruara me kyçet tuaj për nënshkrim.
- Renault-ja me sa duket është në gjendje të parandalojë së largëti ngarkimin e baterisë. Karsten Gerloff shkroi rreth veturës elektrike Zoe.
- Ai bëri gjithashtu një përmbledhje të një raporti të sajtit frëng Mediapart. Në Parlamentin Europian në Strasburg, një person me aftësi teknike ia doli të interceptojë 14 Anëtarë të Parlamentit Europian dhe bashkëpunëtorë të tyre duke përdorur mjete të rëndomta.
- Nga grumbullimet planet:
- Pas një diskutimi me një deputet të parlamentit danez, Thomas Locke shkroi mbi çka bëri për të të përkrahur Tor-in dhe tani xhiron një nyje daljeje Tor.
- Torsten Grote bëri një përmbledhje të prezantimit mbi Dark Mail si Email-i Brezit Pasues për të Ndalur Spiunimin.
- Anëtari Shok Nikos Roussos shkroi rreth se si filloi të përdorë GNU/Linux-in.
- Projekti për telefonin Neo900 kaloi nga faza e diskutimit në atë të mbledhjes së fondeve. Paul Boddie ofron ca kuadër.
- Veç kësaj, ai i hedh një vështrim Desktopit Software të Lirë. Ai shprehet se "zhvilluesit e desktopit Software të Lirë kanë vënë në rrezik misionin e tyre, e si përfundim tani t’u duhet të zëvendësojnë terrenin e humbur në betejën për t’i bërë përdoruesit të përdorin software-in e tyre."
- Në Paris u organizua një tjetër takim MutterWare. Nicolas Jean shkroi një përmbledhje të shkurtër, rreth takimit mbi programe klient email-esh. Hugo Roy dokumenton si të kryhet një kërkim për carddav në mutt dhe Karsten Gerloff se si të kërkohet për adresa email përmes mu-së. Nëse ju vjen keq që nuk banoni në Paris, Hygoja dhe Nikolasi këshillojnë të nisni takime MutterWare në qytetin tuaj.
- Një gjykatë në Kaen të Francës vendosi që një NVM franceze nuk ka shkelur të drejta kopjimi të Skype-it teksa ka retroinxhinieruar algoritmin e përdorur nga kompania për shërbimet e saj VoIP, dhe teksa është përpjekur ta përdorë atë komercialisht.
- Daniel Pocock njofton për aplikime për Outreach Program for Women dhe mundësinë për femrat australiane të marrin $75 mijë dollarë, nëse krijojnë software të lirë gjatë lejes së lindjes.
- Kriptografi: Sergey Matveev shkroi rreth një kriptofeste të madhe në Moskë, Lucile Falgueyrac dha ndihmesë për gazetarët në një kriptofestë, dhe shkroi mbi problemet e pranimit të një nënshkrimi sigurie në GNU/Linux.
- Ana shpenzoi një javë me fëmijë të moshës 5-11 vjeç mbi një projekt animacioni në plastelinë, duke përdorur Phatch, Linux Stop Motion dhe Kdenlive.
- Dhe redaktori juaj tërhoqi vëmendjen mbi pjesën e lidhur me Software-in e Lirë te artikulli i David Wheelers-it "Vulnerability bidding wars and vulnerability economics".
Aktivizohuni: Pse Software-i i Lirë ka rëndësi për ju?
Këtë muaj Jacob Appelbaum, zëdhënës për projektin Tor, dhe dy zhvillues të tjerë Tor u bënë anëtarë përkrahës të FSFE-së dhe Jakobi shpjegon psetë e tija:
Besoj se veprimet në përkrahje të FSFE-së janë të rëndësishme për të nxitur zhvillimin dhe adoptimin e Software-it të lirë në Europë, si dhe kudo në botë. Jam Anëtar Shok i FSFE-së sepse përkrahja financiare e kauzës së Software-it të Lirë sjell përmirësime pozitive në krejt shoqëritë kudo në botë.
Fjalë të tilla i ndihmojnë të tjerët të kuptojnë rëndësinë e punës sonë. Te faqja e Anëtarësisë Shok (në Anglisht) disa nga Anëtarët tanë Shok e shpjegojnë tashmë pse puna për Software-in e Lirë dhe FSFE-në është e rëndësishme për ta. Do të donim që edhe ju të na shkruani pse Software-i i Lirë dhe puna jonë ka rëndësi për ju. Në marrëveshje me ju, do të donim mandej të botonim disa nga shkrimet në sajtin tonë. Veç kësaj, përshtypjet tuaja thjesht ndihmojnë në motivimin e ekipeve të punës në FSFE.
Falënderojmë krejt vullnetarët, Anëtarët Shok dhe
korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE
--
Free Software Foundation Europe
Lajme FSFE
Veprimtari FSFE Së Afërmi
Lidhje Artikujsh Nga Blogu Fellowship
Diskutime mbi Software-in e Lirë